Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve zbulon se çfarë ndodhi me koston e komunikimit për shqiptarët në vitin e 2023-in
Kosto e shërbimeve të komunikimit për shqiptarët u rrit vitin e kaluar. Sipas të dhënave të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (ITU), të cituara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), treguesit e nivelit të shpenzimeve në raport me të ardhurat për frymë për katër nga pesë shportat e ITU-së për aksesin dhe përdorimin shërbimeve të rrjetit fiks dhe celular për Shqipërinë rezultojnë me rritje në vitin 2023 në krahasim me vitin 2022. Ato janë gjithashtu në nivel më të lartë se mesatarja botërore për vitin 2023.
Për shembull, shporta celulare me konsum mujor të ulët (70 minuta+20 SMS + 500 MB) në Shqipëri vitin e kaluar kushtonte sa 1.59% e të ardhurave mujore bruto për frymë, nga 1.45% që kishte qenë një vit më parë. Mesatarja botërore e këtij treguesi është sa 1.35% e të ardhurave bruto për frymë. Ndërsa shporta celulare me konsum mujor të lartë (140 minuta+70 SMS + 2 GB) vitin e kaluar kushtonte sa 2.07% e të ardhurave mujore bruto për frymë, nga 1.45% që kishte qenë një vit më parë. Mesatarja botërore e këtij treguesi është sa 2% e të ardhurave bruto për frymë.
Sipas AKEP, gjatë vitit 2023, është vënë re se dy operatorët celularë kanë bërë ndryshime në tarifa ose sasitë e njësive (minuta, SMS apo GB) të përfshira në paketat e përdorura nga ITU për krahasim. Këto ndryshime kanë rezultuar ndër të tjera në zvogëlimin e njësive (minuta, SMS apo MB) të përfshira në paketat me parapagim 30 ditore me çmim 600 Lek të prezantuar në periudhën e pandemisë Covid-19 në vitin 2021 nga operatorët celularë, dhe të përdorura nga ITU në periudhën 2021-2022 si referencë për shportat celulare me konsum të ulët.
Megjithatë, AKEP vëren se shportat e ITU përmbajnë sasitë minimale të njësive të komunikimit apo dhe shpejtësinë minimale për akses broabdand fiks (256 kbps), ndërsa paketat e operatorëve që ofrohen në treg dhe përdoren nga ITU për llogaritjen e shpenzimeve mund të ndryshojnë ndër vite sipas politikave të operatorëve dhe ato zakonisht të përmbajnë më shumë njësi komunikimi /shpejtësi më të lartë sesa vlerat minimale referencë të shportave përkatëse.
Objektivi i përballueshmërisë Komisionit Broadband të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm të Internetit kërkon që në vitin 2025 shpenzimet për akses broadbnd të mos jenë më shumë se 2% e të ardhurave bruto për frymë. Pavarësisht rritjes në vitin 2023, AKEP vëren se shpenzimet për të pesë shportat TIK të ITU janë brenda ose pranë kufirit të 2%.
Tregu i telefonisë celulare në Shqipëri është rikthyer tashmë në të njëjtën strukturë të vitit 2008, me vetëm dy operatorë në treg. Hyrja në treg e operatorit të tretë Eagle Mobile (Albtelecom) dhe më pas të operatorit të katërt, Plus Communication, solli rritje të konkurrencës dhe ulje të ndjeshme të tarifave të komunikimit. Por, këta dy operatorë nuk arritën asnjëherë të ishin fitimprurës.
Në vitet e fundit, edhe dy operatorët më të mëdhenj celularë kanë raportuar një performancë zhgënjyese. Këto rezultate mund të shpjegohen me rënien e të ardhurave nga terminimi, nevoja e larta për investime, shpenzimet e konsiderueshme të amortizimit, etj. Në këto kushet, operatorët po shtrenjtojnë çmimet, në përpjekje për të përmirësuar gjendjen e llogarive të tyre. / Monitor